Begeja: Edhe Strasburgu kundër Ramës për Ligjin e Pronave

IMG_20160620_125649_editPartia Republikane, me anë të një deklarate për shtyp, ka përgëzuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që hodhi poshtë kërkesën e Qeverisë Shqiptare, në lidhje me mënyrën e kompensimit të pronarëve. Duke qenë subjekti i parë që ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e miratuar së fundmi nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve, Partia Republikane, ka dalë edhe një herë në krah të tyre, duke i bërë thirrje që të ndërmarrin aksione direkte, të mos ndahen në shoqata të ndryshme, por të reagojnë ….të gjithë së bashku, pasi vetëm kthimi dhe kompensimi i saktë i pronave është faktori kryesor i stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Më poshtë deklarata e plotë e Partisë Republikane, e bërë nga anëtari i kryesisë, zoti Maksim Begeja:

Dy muaj pas botimit në fletoren zyrtare të ligjit për trajtimin e pronave, Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg pavarësisht nga ndërhyrjet pranë saj të Kryeministrit Rama e ministrave të tij, veprime këto të pa shembullta në historinë e gjykatave ndërkombëtare, me vendimin e muajit Prill 2016, rrëzoi “de fakto” këtë ligj, duke mos njohur metodologjinë e miratuar në të për kompensimin financiar të pronarëve.

Kjo Gjykatë nuk pranoi mënyrën e kompensimit të pronarëve sipas gjendjes aktuale të pronës në vitin 1945, por theksoi se kompensimi do të bëhet mbi bazën e ligjit të vitit 2008, I cili parashikon kompensim me vlerën reale të tregut.

Bazuar në këtë arsyetim Gjykata e Strasburgut, detyron qeverinë shqiptare që t’i paguajë 21 pronarëve shqiptarë rreth 6 milion euro.

Ju bëjmë me dije se deri më sot për çështjet e pronave të shqyrtuara nga Gjykata e Strasburgut, qeveria shqiptare është gjobitur me 37 milion Euro, nga të cilat ka paguar 10 milion Euro.

Pavarësisht nga këto gjoba që shteti shqiptar po vazhdon të marrë, Agjensia e Trajtimit të Pronave vazhdon me ngulm zbatimin e ligjit 133/2016, duke shpallur nëpër gazeta vlerën e kompensimit financiar të pronarëve jo sipas vlerës së tregut, por shumë here më të vogël, të llogaritur sipas një metodologjie absurd të bazuar në gjendjen e pronës në vitin 1945 dhe në kundërshtim me vendimet e Strasburgut.

Gjykata Kushtetuese e ka çuar draftin e ligjit në Komisionin e Venecias. Kemi bindjen që ky komision, bazuar në konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në vendimet e Gjykatës së Strasburgut, do t’I jape zgjidhje të drejtë problemit të pronës në Shqipëri duke rekomanduar rrëzimin e këtij ligji.

Deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, i kërkojmë qeverisë që të detyrojë ATP për të ndërprerë marrjen dhe shpalljen e vendimeve për kompensimin financiar të pronarëve. Në të kundërt fatura financiare që ajo do tëpaguajë me taksat e taksapaguesve shqiptarë për vendimet e marra dhe ato që do të marrë Strasburgu, do të jetë shumë më e madhe se vlera qesharake e kompensimit të pronarëve sipas ligjit të saj.

Gjithashtu Pronarët dhe tetë shoqatat e tyre nuk duhet të rrijnë në heshtje dhe të mjaftohen vetëm me denoncimin e problemeve të tyre.Kjo është bërë që prej 20 vjetësh dhe nuk ka dhënë zgjidhje, pasi janë qeveritarët ata që kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me pronat e tyre.

I bëjmë thirrje Shoqatave të Pronarëve që të lenë mënjanë dasitë ndërmjet tyre dhe të bashkohen e të organizohen për të përdorur të gjitha mjetet demokratike duke u ngritur në protesta të vazhdueshme e greva për të detyruar qeverinë dhe veglat e saj që të ndërpresin këtë masakër që po bëhet me pronarët.

Comments are closed.