Mediu në Kuvend: Ju doni të kapnin Gjykatat, nuk doni Integrimin

FATMIR-MEDIU-PARLAMENT-ASDFASD-640x465Kryetari i Partisë Republikane, zoti Fatmir Mediu, mbajti dje një fjalë të gjatë në seancën e radhës të Kuvendit të Shqipërisë. Kriminalizmi që po i bëhet shoqëriosë, vula kanabiste që Evropa i ka vënë Shqipërisë, procesi i Integrimit, por edhe marrëdhënia me Kosovën, kanë qenë disa prej temave që zoti Mediu ka nënvizuar gjatë fjalës së tij, si fatura që duhet paguajnë shqiptarët….…… për keqqeverisjen aktuale. Më poshtë fjala e plotë e zotit Mediu:

Të nderuar kolegë deputetë!

Para 3 ditësh festuam Festën e Flamurit, ditën e Pavarësisë.
Të gjithë themi se, përulemi me respekt përballë gjithë atyre burrave dhe grave, që kanë sakrifikuar dhe punuar për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Por mendoj se nderimi më i madh për ta është të shohim se sa dhe si realizojmë përgjegjësitë tona, përballë qytetarëve, vendit dhe kombit tonë.

Para nesh shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

Nëse Shqipëria është e lirë dhe e pavarur,:

A janë të lirë dhe të pavarur qytetarët shqiptarë, për të zgjedhur atë që duan dhe me punë e ndershmëri të përcaktojnë të ardhmen e tyre??

Sa vlerë dhe fuqi, ka vota e tyre për të vendosur se kush duhet t`i qeverisë?? A janë të lirë të votojnë dhe votat e tyre të numërohen??

A kanë ata forcë dhe mundësi të refuzojnë qeverinë, e cila i fut dorën në xhep sa herë i teket, duke i varfëruar dhe nga ana tjetër bëjnë shpenzime absurde që nuk ndihmojnë ekonominë e vendit por përkundrazi.???

Ka dy lloj grabitjesh, njëra nga banditët me maskë që të vjedhin nën kërcënimin e armëve,
Por ka dhe një më të madhe, t`i fusësh dorën me ligj qytetarit në xhep e t`i marrësh të ardhurat dhe fitimet sepse kështu mendon ti, sa herë që do.
A mundet ata të refuzojnë që ekonomia e ndershme të zëvendësohet nga ajo e kanabisit??

Kriminalizimi që po i bëhet shoqërisë nuk është një proçes spontan, por i mirëmenduar dhe organizuar për të përjetësuar pushtetin dhe nënshtruar opozitën dhe shqiptarët.

  • A mundet ata të refuzojnë që shteti t`i dhunojë si banditë dhe banditët të sillen si shtetarë dhe politikanë kafeve të Tiranes, duke kërcënuar këdo që është kundër pushtetit dhe lidhjeve të tij me krimin??
  • Sa të lirë janë shqiptaret të ndërtojnë lumturinë e tyre këtu në Shqipëri??
  • Pse ikin pambarimisht refugjatë e azilantë rrugëve të botës, të rinj e të reja??
  • Pse pushteti tallet dhe ngazëllohet me largimin e tyre masiv, largimin e atyre që dinë, duan dhe nuk pranojnë as mjerimin dhe as poshtërimin??
  • Pse u pëlqen një media e kontrolluar nga pushteti dhe një shoqëri e gjunjëzuar prej varfërisë, frikës dhe pasigurisë??
  • A kanë të drejtë ata që për 25 vite kanë mbajtur gjallë ekonominë e familjeve të tyre dhe vendit me punën në emigracion, të kenë zërin dhe votën e tyre intelektualë, profesorë, biznesmenë, studentë, bankierë e njerëz të punës apo do të përdoren si dekor për ballot e pushtetit.

Që kur erdhët në pushtet e keni bërë të rregull çdo seancë të shani dhe akuzoni opozitën: harroni që jeni në pushtet dhe nuk jeni për të folur por për të punuar, nuk jeni për të sharë por për të paqtuar.

U bë prej shumë javësh i njëjti refren, banal deri në neveri, me gjithë makinën tuaj propogandistike se; Opozita pengon integrimin.

Deri dje thoshit fajin e ka Saliu, tani e ka opozita.
Mirë atëherë ishit në opozitë dhe atë punë kishit, po sot???
Këto që thoni nuk i besoni as vetë, por mendoni që gënjshtrat tuaja patetike mund t`ja shisni si të vërteta shqiptarëve për të fshehur këtë situatë të papranueshme dhe një pjesë të ndërkombëtarëve për të fshehur problemet e rënda të qeverisjes.

Po si e pengon opozita??

Që në fillimet e saj kjo opozitë ka deklaruar se do të mbështesë çdo nisëm që i shërben Integrimit Europian, dhe jo për oportunizëm, por sepse puna dhe vokacioni i të djathtës ka qenë dhe mbetet Shqipëria Europiane.

A nuk ishte kjo opozitë e votoi Reformën në Drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese?? Pa opozitën kjo reformë nuk do kalonte kurrë. Pse duhej ta bllokonte tani opozita kur kishte mundësinë dhe numrat për ta bllokuar që në fillim??
A nuk u bënë ndryshimet kushtetuese duke reflektuar kërkesat e opozitës, të pranuara nga Komisioni i Venecias, si dhe duke shmangur kontrollin politik që ju donit të vendosnit mbi gjyqësorin??

Po ashtu ramë dakort paraprakisht se dhe ligjet duhet dhe do t`i votonim me konsensus.

Po a nuk ishit ju që i votuat në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar opozitën dhe t`i ktheheni edhe njëherë qëllimit tuaj për kontroll politik të gjyqësorit??

A nuk ishte Kryeministri ai që sa mbaroi votimi, deklaroi se opozita u detyrua me dhunë nga ndërkombëtarët që të votonte, në vend që të vendosej në nivelin e Kryeministrit dhe të vlerësonte konsensusin dhe opozitën??

Cilët ndërkombëtarë, ata të Brukselit, Washingtonit dhe Berlinit, që përshëndetën punën e opozitës dhe që Kryeministri nuk e vlerësoi asnjëherë???

Po ju mendoni se opozita nuk duhej më, dhe atë që nuk e bëtë me Kushtetutë, e bëni me ligj duke injoruar dhe hedhur poshtë atë që miratuam së bashku, dhe kur opozita kërkon të miratoni ligjet sipas Kushtetutës që miratuam bashkë, ju thoni pengon.

Kur votoni nuk e doni opozitën, kur bëni ligjet antikushtetuese opozita duhet të heshtë, s`mund t`i drejtohet Institucioneve kushtetuese të këtij vendi, se po ju pengon ju të bëni si të doni.

Po përse është opozita këtu, të pranojë përjashtimin e shqiptarëve që ajo përfaqëson, dhe për më keq të pranojë kontrollin politik të gjyqësorit??

Detyra e opozitës është të luftojë deri në fund me çdo mjet ligjor për të garantuar respektimin e Kushtetutës.

Në ç`vend dhe Parlament të botës keni parë ju që opozita të mos luftojë për qëllimet e saj dhe kushtetutshmërinë???

Po le të arsyetojmë pak: Po nëse nuk e doni bllokimin e Vettingun dhe nuk doni ta përdorni për qëllimet gjyqësorin për qëllime politike, atëherë;
Pse nuk u ulët dhe nuk uleni të dëgjoni vërejtjet e opozitës: se nuk duhet ta bëjë qeveria Vettingun, por Komisioni që ka përcaktuar Kushtetuta dhe kështu do kishim kaluar ligjet dhe do kishim filluar implementimin e reformës.

Duket qartë se jeni ju ata që nuk doni, sepse pushteti juaj dhe kontrolli politik i gjyqësorit, për ju është më i rëndësishëm se Integrimi Europian.

Integrimin Europian ju e doni si pasportë politike dhe jo si një realitet i prekshëm për shqiptarët.

Ne po veprojmë krejt ndryshe nga ju që qëllimisht dhe hapur, bllokuat për tre vjet integrimin e Shqipërisë, jo për kushtetutshmëri, por për Këshillin e Qarkut të Fierit dhe vetëm një muaj para zgjedhjeve, për shkak të pazarit elektoral me LSI, votuat.

Ne s`kemi nxjerrë asnjë pretendim, përveç respektimit të asaj që votuam së bashku, ndryshimeve Kushtetutese.

Po për detyrimet e tjera që vendos BE dhe i theksoi kancelarja Merkel??
Opozita ju pengon???
Po për luftën kundër krimit, kanabisit, Reformën Zgjedhore dhe bashkëpunimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kush jua pengon, opozita??

Hiqni dorë nga ky absurditet dhe të gjeni përgjegjësitë tuaja si qeveri dhe pastaj tonat si politikë, për t`i shërbyer qytetarëve dhe integrimit,
Kjo nuk bëhet duke drejtuar gishtin tek opozita, por tek vetja juaj.

Integrimi Europian as ka filluar me ju dhe as nuk mbaron me ju, ai ka njohur dhe do njohë vullnetin e mirë të të gjithë atyre politikanëve, që interesin kombëtar e kanë primar, jo për folklorizëm e demagogji, por për politika konkrete në shërbim të shqiptarëve dhe kombit shqiptar.

Ne jemi opozitë dhe ekzistojmë pavarësisht nga ju, megjithëse ju bëni çmos ta shkatërroni atë dhe të krijoni opozita fantazëm që del prej pushtetit dhe i shërben pazareve të pushtetit, nuk ndaleni në pazar dhe pazarxhinjtë për ju janë Europa dhe ata që ju kundërshtojnë pazarin janë antieuropianë.

Ne jemi kundërshtarët tuaj dhe jo armiqtë tuaj. Ju jeni armiq të vetvetes.
Pasi mbaruat me opozitën, armikun e brendshëm, tani po gjeni, armiqtë e jashtëm.

Boll me skenarë me armiq të brendshëm e të jashtëm. Këtë gjë bëri Enver Hoxha dhe regjimi i tij, çdo 5-vjeçar dhe çdo Kongres do demaskonte armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm dhe bunkierizoi gjithë vendin.

Ndërsa ju i keni humbur dhe lezetin, se nxirrni armiq çdo ditë dhe çdo javë.

Dhe për këtë ndërseni njerzit e paguar prej jush në media.

Ju i hapni luftë kujtdo që është kundër jush apo mund të prishë qëllimet tuaja të pushtetit. Ju është krijuar bindja se roli për të qeverisur Shqipërinë ju rri i vogël, se ajo që duhet të bëni është të stabilizoni rajonin dhe të vendosni rendin botëror. Harroni nga keni dalë:

Kandidatin për President të Amerikës e quajtët rrezik i njerëzimit, pastaj kur fitoi thatë se nuk e kishit me Presidentin por me kandidatin, se mendoni që gjithë bota rrotullohet rreth jush.

Deputetët gjermanë të Bundenstagut që merren me Integrimin Europian i quani të pavlerë dhe pa moral, të blerë nga opozita, dhe zëdhënësit tuaj shkojnë deri në qëndrime të turpshme, sepse për ju vlen vetëm kancelarja duke harruar që ata janë një shtet e një parti e nuk kanë pse ja shohin shërrin njeri-tjetrit për zullumet tona.

Në fakt kjo sëmundje e të drejtuarit gishtin tek të tjerët, është e vjetër dhe e shtrirë frikshëm tek ne si shoqëri, gjithmonë nga influenca e politikës, për të mbuluar dobësinë dhe pamundësisë për të qenë racional dhe veprues, si dhe për të fshehur qëllimet korruptive të pushtetit.

Ne na e ka fajin të gjithë Serbi, Maqedoni, Greku, Malazezi për gjithë padrejtësitë historike.
Po mirë le të jetë kështu, për historinë. Po sot që jemi vend i NATO-s, KOSOVA e pavarur, në këtë shekull të shqiptarëve, kush na e ka fajin sot, Trampi, Amerika, deputetët gjermanë, apo paaftësia politike dhe qeverisëse, e cila në vend që të ulet e të ndërtojë një platformë të përbashkët të interesit kombëtar, e përdor atë në mënyrën më të paskrupullt për interesa politike, ku përzihet dukshëm mediokriteti dhe paaftësia.

Thashë më parë që Integrimi Europian është një qëllim i hershëm i shqiptarëve, por që është sabotuar në momente historike nga një pjesë e politikës shqiptare, sepse pushteti ka qenë primar dhe sa më larg BE aq më e lehtë të abuzosh me pushtetin.

Për të arritur në këtë fazë që jemi sot, kanë punuar qeveri të majta e të djathta, politikanë të majtë e të djathtë, edhe kur një juja që bërtasin sot, duke menduar se janë të pazëvendësueshëm dhe se çdo gjë fillon dhe mbaron me ta, nuk ishit asgjëkundi.

Për Pavarësinë e Kosovës është luftuar e derdhur gjak nga populli i Kosovës pa dallim, por ka pasur politikanë të majtë e të djathtë shqiptarë, që me përgjegjësi e përkushtim, kanë punuar për të, jo duke shmangur Kosovën, por përkundrazi, duke e fuqizuar rolin e saj në këtë çështje dhe duke rakorduar me faktorin ndërkombëtar, dhe kjo është një hitori e gjatë ndër vite, edhe kur disa prej jush s`e dinin ku ishte dhe e shikonin si një çështje të huaj dhe pa rëndësi.

Historia e Kosovës ka njohur lëvizje popullore, organizime politike, luftë, marrëveshje ndërkombëtare.

Për herë të parë Presidenti Amerikan Bush vizitoi zyrtarisht Shqipërinë dhe solli dy premtime te media në Tiranë, Pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Keto I deklaroj atje te Kryeministri a në atë godine ku, historinë nuk e bëjnë bukuria e zyrave, por puna në gjithë këto vite.

Po nëse ju çmoni si parësore, miqësinë me Serbët dhe Vuçiçin si shumë të rëndësishme sipas jush, dhe nuk kuptoj se ku qëndron kjo në interesin ekonomik, të sigurisë apo kombëtar, atëherë si qënka më pak e rëndësishme marrëdhënia dhe rakordimi i qëndrimeve tona me Kosovën??

Si mos të kuptojmë se Kosova ka sot peshën e saj në skenën botërore, jo për shkakun tonë, por për shkak të interesit dhe ndërmjetësimit të Washingtonit dhe Brukselit.
Çdo deklaratë patriotike mund të ndezë dëshirën dhe të na përkëdhelë sedrën si shqiptarë, por cfare zgjidh apo nuk zgjidh, sepse puna dhe zgjidhjet janë me vlerë historike ato mbeten.

Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s në kohën kur qeverisnim NE dhe ishim po NE që kërkuam anëtarësimin e Shqipërisë, që në fillim të viteve 1990 ashtu si dhe Integrimin Europian.

Por asnjëherë nuk hoqëm dorë nga vlerësimi i kontributit dhe bashkëpunimit të gjithë politikës në këto proçese, sepse të tilla ishin, edhe pse punuam dhe patëm fatin ta bënim realitet anëtarësimin në NATO.

Kur nënshkruam marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, opozita ishte prezente në Bruksel, po ashtu edhe në Samitin e NATO-s në Bukuresht dhe Chikago.

Asgjë e tillë nuk ndodh sot, opozita është e përjashtuar.

Qeveria nuk matet me çfarë thotë, por me ato që bën.

Njëherë na shfaqeni si antisovranistë dhe Shqipërinë apo Institucionet tona i bëni të pavlera përballë kujtdo, kur jua do interesi.

Nga ana tjetër na shfaqeni jo vetem sovranistë, por shumë më tepër gati patriot të fjalëve të mëdha, gati për çdo përballje me këdo, dhe kjo kur patriotizmi i fjalës i shërben pushtetit dhe pazarit me të, apo si justifikim për dështimin.

Çështja çame nuk është çështje deklaratash, por një çështje kombëtare politiko-juridike.

Ligji i Luftës dhe çështja Çame është ngritur nga qeveritë që në fillim të viteve 1990.
Edhe kur nuk flitej nga ju, e kemi ngritur në çdo takim me Kryeministra, Presidentë e Ministra të Greqisë, kur shumë nga ju nuk e dinin çdo të thotë çam apo çështje çame, dhe nuk ishte çështje pazari.

Parlamenti shqiptar ka përpunuar rezoluta në mbështetje të kësaj çështje dhe kam pasur nderin të jem pjesë e hartimit të tyre me kolegë të majtë e të djathtë.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe si e tillë ka mundësinë që çështjeve të rëndësishme t`i japë rrugën e zgjdhjes ndërkombëtare.

Sipas standarteve dhe protokolleve të NATO-s, vendet anëtare apo aspirante nuk mund të kenë konflikte me njëri-tjetrin apo fqinjët e tyre, e jo më një gjendje lufte që mund të vijë për shkak të ekzistencës së Ligjit të Luftës.

Çfarë e pengon qeverinë ta shtrojë këtë çështje për zgjidhje në NATO, nëse vërtetë kërkon ta zgjidhë??
Po ashtu është çështje e së drejtës dhe se deri tani janë bërë përpjekje për t`a zgjidhur këtë çështje sipas standartit të të drejtave të njeriut apo të drejtës ndërkombëtare.

Duke thënë këto, padyshim që kam bindjen që është një çështje e vështirë, por akoma më të vështirë e bën demagogjia dhe patriotizmi fala folklorik për të kënaqur raportet e pushtetit.

Shqipëria në NATO dhe BE është mundësi reale për të zgjidhur këto çështje.

Në Ballkan ka shumë interesa gjeopolitike ku ndërthuren ato të ekonomisë, sigurisë dhe religjoze. Shqipëria nuk është e imunizuar, por për fatin e keq nuk është e organizuar t`i bëjë analizë dhe të përballet me to. Për më keq, jemi kthyer vet problemi në këtë përplasje gjeopolitike, ku përfshihen interesa nga Kina, Rusia, Turqia, BE dhe SHBA.

Në vend që të merremi seriozisht me këto probleme, bëhemi dhe më të pabesueshëm dhe naivë kur mendojmë se kërcënojmë Evropën se po nuk na çeli derën, atëherë Rusia dhe Islami do zaptojnë Ballkanin.

Islami do zaptojë Ballkanin, teori kjo që Serbët e kanë përdorur kundër shqiptarëve me shumicë myslimane.
Evropa dhe SHBA e dinë mirë se shtrati më i mirë për Rusinë dhe Islamin radikal është shteti i korruptuar dhe inkriminuar, shtetet jo funksionale.

Ne po ndjekim një shembull fatkeq, atë të Maqedonisë.

Shkatërrim i shtetit për pushtet, lufta e paprinciptë kundër opozitës për t`a shkatërruar dhe zëvendësuar atë me zgjatime të pushtetit, kontroll i mediave, investime në qendër të Shkupit pa asnjë lidhje historike, konflikt në emër të patriotizmit për pushtet me fqinjët dhe për pasojë jo vend i NATO-s dhe jo vend i BE-së.

Opozita me vështirësi arriti të vetëngrihet dhe imponojë në Maqedoni, skenari maqedon i ndjekur nga qeveria jonë kërkon një përgjigje, jo thjesht të opozitës, por mbarë shqiptarëve.

Comments are closed.