Mediu në lagjen 2 të Kavajës: “Republika e Re” nuk përjashton e nuk përbuz

Kryetari i Partisë Republikane,  zoti Fatmir Mediu mori pjesë në një takim me simpatizantë dhe përkrahës në lagjen 2 të Kavajës, në mbështetje edhe të kandidatit të PD për kryetar bashkie, zotit Isa Sakja. Gjatë këtij takimi në një prej lagjeve të vjetra të qytetit të Kavajës, zoti Mediu shpalosi prioritet që ”Republika e Re” do të ketë në qeverisjen e Kavajës dhe të gjithë shqiptarëve. Ato fillojnë, – tha zoti Mediu, – që nga prezantimi i Isa Sakjes, njeriut të thjeshtë dhe punëtor, familjar dhe të përkushtuar për qytetin. Me anë të taksave të ulëta, ne do të ndihmojmë individin, biznesin dhe do të krijojmë kështu një ekonomi të fortë të qëndrueshme, për Kavajën dhe të gjithë Shqipërinë”, u shpreh zoti Mediu.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Republikane, riktheu vëmendjen mbi akuzat që opozita ka ngritur ndaj qeverisë Rama, ku gjatë 4 viteve Rama e ka përdorur pushtetin për të fuqizuar bandat dhe tarafet e tij, të lidhur me krimin dhe ka ngritur kërbacin ligjor mbi të pamundurit dhe njerëzit në nevojë.

 

Zoti Mediu u bëri thirrje të pranishmëve të vlerësojnë maksimalisht mundësinë që kanë për të votuar. “Rezistenca jonë e përbashkët në “Çadrën e Lirisë” ishtë tërësish një angazhim që ju të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Secili nga ju duhet të kuptojë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se vota, të cilën e jepni një herë në 4 vjet, duke vendosur për vete, për familjen tuaj dhe për mbarë vendin. Prandaj ju bëj thirrje që të votoni nr.6, Partinë Demokratike dhe kryeministrin e ardhshëm Lulzim Basha, si e vetmja mundësi për të mos e lënë Shqipërinë peng te bandat dhe klanet e Qeverisë Rama, që po i marrin frymën këtij vendi” u shpreh në fjalën e tij zoti Mediu.

Kandidati për kryetar Bashkie, zoti Isa Sakja premtoi para simpatizantëve të pranishëm në këtë takim, se programi i PD-së për Kavajën është tërësisht i realizueshëm dhe në një kohë shumë të shkurtër do t’i japë rrugë zhvillimit ekonomik të qytetit, nëpërmjet taksave të ulëta dhe të ndershme.

Comments are closed.