Pas Nicës, Mediu: Në Shqipëri vetëm për siguri nuk flitet

d4dabbc0-2c51-0134-b048-0a814d95abffPartia Republikane shpreh tronditjen e thellë pas sulmit të fundit terrorist të ndodhur në Francë. Duke u solidarizuar me dhimbjen e popullit francez dhe duke i shprehur ngushëllimet e thella, për këtë tragjedi të shënuar në ditën e Festës Kombëtare, kryetari i PR-së zoti Fatmir Mediu, ka analizuar edhe një herë situatën e sigurisë në Shqiperi dhe Ballkan, duke theksuar nevojen e angazhimeve serioze dhe marrjen e masave te menjehershme per te …rritur sigurine ne vend, si dhe per te evituar situata te tilla dramatike.
Më poshtë reagimi i plotë i zotit Mediu:

Të nderuar miq!

Të gjithë bashkohemi sot me dhimbjen e popullit Francez dhe familjarëve që humbën të dashurit e tyre në Nice të Francës, në ditën e festës së saj.

Këto sulme terroriste janë shtrirë në gjithë globin, Amerikë, Afrikë, Europë etj., po ndodhin në bulevard, kinema, stadiume, shkolla dhe akoma nuk ka një përgjigjje të qartë, vendim për t`u përballur në mënyrë globale me terrorizmin.
Liderët botërorë janë të ndarë në interesat e tyre të pushtetit dhe deklarime të përgjithshme denoncuese dhe reaguese. Eshtë një brez i cili nuk e ka njohur luftën dhe e ka të vështirë ta pranojë që për t`u mbrojtur duhet të luftosh dhe ajo që duket sot luftë diku larg, është një kërcënim real në vendin tënd.

Situata duhet të zgjidhet së pari aty ku buron terrorizmi, është e patolerueshme zgjatja pafundësisht e situatës në Siri.

Së dyti është i domosdoshëm një bashkëpunim i shërbimeve të inteligjencës të vendeve të NATO-s për të ndarë informacion dhe parandaluar akte terrorizmi.

Së treti është e patolerueshme që kriza e refugjatëve nuk ka zgjidhje, as kontroll. Mes tyre është provuar se ka terroristë të infiltruar qëllimisht, po ashtu ata mund të kthehen në burim rekrutimi për terroristët për sa kohë nuk kanë shpresë dhe mundësi jetese.

Së katërti NATO padyshim duhet të zgjidhë me marrëveshje problemet e saj me Rusinë, por duhet të gjejë mënyrën e duhur për të goditur terrorizmin, në bashkëpunim me të.

Së pesti bashkëpunimi me Turqinë, Egjyptin dhe vendet Arabe pavarësisht nga lloji i regjimit, interesat e vjetra dhe të reja, duhet siguruar.

Së gjashti dhe me kryesorja, identifikimi dhe eleminimi i burimeve të finacimit të terrorizmit, është imediat.

Po Ne, po Ballkani??

Ne dhe Ballkani nuk jemi as të imunizuar dhe as të përjashtuar nga sulmet terroriste, madje e kundërta, është shumë i ekspozuar.
Deklarimet butaforike të drejtuesve ballkanikë, duke e parë terrorizmin si një fenomen të largët, duhet të marrë fund. “Home Grown” terrorizëm është prezent në Ballkan dhe vendin tonë paçka se i fshehur.
Në Shqipëri vetëm për siguri nuk diskutohet. Ministria e Brendshme tërësisht politike, në konflikt me Prokurorinë dhe Shërbimin Informativ, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm në konflikt me Presidentin.
Kryeministri nuk gjen kohë të diskutojë me Shefin e Shërbimit, në një kohë që shërbimet partnere, në mënyrë të veçantë ato Amerikane, janë vlerësues dhe bashkëpunues permanent me shërbimin tonë.
Presidnetit i janë hequr kompetencat e Sigurisë dhe mbrojtjes, duke e bërë rolin e tij Kushtetues, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtesisë e keshtu me radhë.
Nëse ka Këshill të Sigurisë Kombëtare, nëse ka minimum të përgjegjësisë nga Qeveria, duhet urgjentisht të mblidhen për të përcaktuar një strategji dhe veprim të Institucioneve të Sigurisë, për të mos qënë vonë.
Raportet e Institucioneve të Sigurisë duhet të jenë ditore dhe analiza e përbashkët, minimalisht javore, nën drejtimin dhe përgjegjësinë e Kryeministrit.

Edhe njëherë ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave.

Comments are closed.