PR: Dekorimi i nacionalistëve i vonuar, Rama vazhdon luftën e klasave

img_20161104_093621_editNisur nga debati i fundit rreth dekretit të Presidentit të Republikës për dekorimin e 67 nacionalistëve të vrarë në tetor të vitit 1943 nga brigada partizane nën drejtimin e Mehmet Shehut, Partia Republikane e vlereson si një veprim të drejtë, por të vonuar në kohë dekorimin e nacionalistëve, pasi është në kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës që të vlerësojë dhe të dekorojë të gjithë ata që ai vlerëson se për kontributin dhe vlerat që kanë, e meritojnë një vlerësim të tillë. Në rastin konkret kemi të bëjmë me nacionalistë …..…..që morën pushkën dhe luftuan kunder pushtuesve për lirinë e atdheut, të pushkatuar nga Mehmet Shehu vetëm për faktin se nuk pranuan t’u bashkoheshin komunistëve.

Partia Republikane dënon qëndrimin e Kryeministrit me deklaratat e bëra në Kuvendin e Shqipërisë dhe i cilëson ato si një rifillim të luftës së klasave, thirrje për të përçarë popullin dhe provokime për nxitje konflikti midis shqiptarëve.

I kujtojme Kryeministrit dhe të gjithë atyre që u turrën nëpër media për të mbrojtur krimet makabre të bëra nga komunistët, se ishin të parët e tyre që filluan luften vllavrasëse gjatë Luftes se Dytë Botërore, nën këshillat e komunistëve jugosllavë, duke vrare me qindra nacionalistë vetëm pse i shikonin si kundershtarë politikë, siç ishte dhe rasti i nacionalistëve të pushkatuar.

Ishin po këta qe e përdorën luftën e popullit shqiptar për të eleminuar të gjithë kundërshtarët politikë gjatë luftës dhe vendosjen e diktaturës komuniste, që ishte një nga diktaturat më të egra në Evropën Lindore.

Ishin të paret tuaj që jo vetëm vranë sa mundën nga nacionalistët gjatë luftës, por nuk u ndalën edhe pas luftës duke pushkatuar me e pa gjyq, burgosur, internuar, persekutuar e diskriminuar kundërshtarët politikë.

Jeni ju sot që si pasardhës të tyre, që menjëherë në rastin më të parë që u jepet, mbroni kriminelet që kane vrarë dhe vazhdoni t’i quani tradhëtare të gjithë ata që  nuk kanë qenë të rreshtuar me paraardhësit tuaj.

Eshte e papranueshme që sot pas 26 vjet demokraci, te shkoni dhe të vendosni përkujtimore nëpër kampet e internimit ose me saktë nëpër vendet ku të parët tuaj kane kryer krimet dhe të mos keni as kurajon minimale per të kërkuar falje për krimet e kryera nga ata.

I bëjme thirrje Kryeministrit që të tërheqë deklaratat, të heqë dorë nga lufta e klasave dhe thirrjet për të mbajtur popullin të përcarë, dhe të mos bëhet shkak për nxitjen e një konflikti që kanë filluar të parët e tij, por t’i hapi rrugën historianëve që të bëjnë punn e tyre të shkruajnë njëë histori që edhe pas 26 vjetësh demokraci nuk e kemi, veçse kur themi historian nuk është fjala për ata që e kanë falsifikuar njëë herë historinë dhe tani dalin si protagonistë për ta rishkruar prapë.

 

Shkelqim Hysaj

Nenkryetari i Partise Republikane

Comments are closed.