PR: Tahiri sulmon median dhe opozitën, vepër penale

partia-republikaneNë ceremoninë e inaugurimit të disa automjeteve elektrike të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm Tahiri e përdori atë tribunë të shtetit për të bërë sulme të paprecedenta kundër vetë shtetit. Policia e Shtetit është një organ i depolitizuar dhe neutral dhe Ministri I Brendshëm ka detyrimin ta respektojë i pari këtë status kushtetues të këtij institucioni të Republikës.
Por Ministri Tahiri vazhdon të ndjekë shembullin më të keq të abuzimit…… me pushtetin, atë të Kryeministrit të vendit. Ministri i Brendshëm flet përpara policisë së depolitizuar dhe sulmon Prokurorinë si bashkëpunëtore me “kazanin”, kërcënon median e lirë si bashkëpunëtore me krimin, sulmon opozitën si armike të policisë. Ky veprim është jo vetëm papërgjegjshmëri por edhe vepër penale.
Partia Republikane u kërkon Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm që me degradimin e tyre mos të molepsin edhe organe të depolitizuara si Policia e Shtetit. Policia e Shtetit nuk duhet të nxitet të paragjykojë apo urrejë as opozitën, as median e lirë, dhe as prokurorinë. Policia e Shtetit e ka detyrë ligjore që të jetë neutrale ndaj politikës, korrekte dhe respektuese me median, dhe bashkëpunuese me prokurorinë. Në gjendjen ku kemi ardhur, oficerët e ndërshëm të Policisë së Shtetit duhet të dëshmojnë përkushtimin e vet ligjor, duke i treguar Ministrit dhe Kryeministrit se cfarë është shërbimi ndaj shtetit pavarësisht prej pushtetit.
Partia Republikane Shqiptare u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen me opozitën e djathtë për të denoncuar publikisht këtë Ministër të Brendshëm që tenton të politizojë Policinë e Shtetit. Politizimi i Policisë përfaqëson vetëm njërën nga tendencat e rrezikshme për rendin kushtetues të Republikës. E gjithë sjellja politike e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm e dëshmon këtë rritje të rrezikut ndaj shtetit të së drejtës në Shqipëri. Qeveria Rama po tenton të realizojë de facto projektin e saj të vendosjes se sistemit autoritarist në Shqipëri, nën shembujt më të kritikueshëm në rajon. Qeveria është shndërruar tashmë në dhunuese të lirisë së fjalës, shkelmuese të reformës në drejtësi, dhe varrmihëse të ligjshmërisë së organeve të rendit, duke i kthyer këta elemente të shtetit dhe shoqërisë në instrumente të presionit dhe dhunës ndaj shoqërisë civile dhe ndaj opozitës politike.

 

 

 

Comments are closed.